Tuesday, March 18, 2014

Thirrje ambjentalistëve dhe shoqatave mjedisore për të marrë pjesë dhe kontribuar në "Ora e Tokës" 2014



Në 29 Mars, në orën 20:30 deri në 21:30 i gjithë planeti "do të fiket" për 1 orë duke filluar nga Australia e deri në Kaliforni. Ky është cilësuar si "aksioni më i madh dhe më masiv mjedisor, që historia ka njohur ndonjëherë": Çdo 1 ndër 3 banorë të Tokës do të fikin dritat dhe gjithë aparaturat e tepërta elektronike nëpër shtëpitë apo bizneset e tyre. Kjo është "Ora e Tokës - Earth Hour", ora të cilën ne njerëzit ia kushtojme shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës, në një veprim sa simbolik, sensibilizues, aq dhe efikas e të fortë kundër ndryshimeve klimatike, që po ia marrin frymën asaj. Logjika qëndron në lidhjen e drejtpërdrejtë, që ekziston midis energjisë, që ne përdorim dhe ndryshimeve klimatike që po ndodhin: konsumi i energjisë është përgjegjëse për mbi 60% të emetimeve të CO2 në atmosferë, e rrjedhimisht kursimi i energjisë është veprim, që kontribuon drejtpërdrejt dhe fort në reduktimin e emetimeve serrë. Secili prej nesh, si çdo qytetar i botës, ka rolin e vet aktiv në përpjekjen globale kundër ndryshimeve klimatike, edhe me veprime të thjeshta si ky i nxitur nga "Ora e Tokës". 
"Ora e Tokës" ka lindur si një iniciativë e ''WWF Sidney'' në vitin 2007 në Sidnej dhe çdo vit e ka zgjeruar përkrahjen e saj në botë. Në "Earth Hour 2013" morën pjesë 7001 qytete nga e gjithë bota, në mbi 152 vende, dhe me mbi 2 miliardë përkrahës apo pjesëmarrës vullnetarë. Për t'u njohur me iniciativën "Earth Hour" mund te vizitoni faqen www.earthhour.org, dhe mund të shikoni videon zyrtare të Earth Hour 2014 http://www.youtube.com/watch?v=sFIL0l-e1j4 
Edhe këtë vit "Earth Hour" është shndërruar në "Earth Hour Blu", duke sugjeruar që ky veprim simbolik i 29 Marsit të shndërrohet për gjithësecilin në fillimin e një viti te veprimit kundër ndryshimeve klimatike, me veprime të vogla apo të mëdha sipas mundësive të gjithësecilit apo të çdo komuniteti. Spider-Man do të jetë ambasadori i parë Superhero për Orën e Tokës 2014 http://www.youtube.com/watch?v=hZhbIyrx4AQ 
"Ora e Tokës 2014" është viti i pestë i pjesëmarrjes për Kosoves. Kjo iniciative në Kosove koordinohet nga Asociacioni per Kulture, Edukim dhe Arsim – AKEA si dhe Shoqata Ekologjike Eko Viciana me vullnetarët e saj.
Ju, ose shoqata juaj mund të bëhen partnerë lokalë të "Ora e Tokës në Kosove" duke dhënë ndihmën tuaj modeste, duke siguruar, që qyteti juaj apo një biznes, të marrë pjesë në këtë aktivitet masiv duke fikur dritat e objekteve të tyre simbol gjatë Orës së Tokës dhe duke e e bërë publik këtë veprim. Fushata ka një letër-ftesë, të cilën ju mund t'ia dërgoni Komunës suaj në emër të Earth Hour Global dhe të loboni për pjesëmarrje. Për t'u bërë pjesë e kësaj fushate lobimi, apo për të kërkuar sqarime për aktivitetin, mund të kontaktoni vullnetarët tanë në adresat: http://earth-hour-kosovo.blogspot.com/, eko_viciana@yahoo.com
Gjithashtu ju ftojmë që, në datën 29 Mars 2013, gjatë orëve të pasdites, të vini në numer sa më të madh, me qëllim që të mundni të firmosni në eventin e thjeshtë të firmosjes publike për pjesëmarrje në Orën e Tokës në Kosove, një ceremoni kjo simbolike dhe e bukur, që në vitet e mëparshme ka patur shumë sukses. Ne do të jemi te vendosur ne Sheshin Nena Tereze ne Prishtine, që prej orës 15:00.
Aktivitetet modeste deri tani të parashikuara të paradites, do të realizohen me shpenzimet modeste të vetë shoqatës AKEA dhe Eko Viciana dhe të vullnetarëve të saj. Nëse do të kemi mbështetje financiare, aktiviteti do të shtrihet edhe në orët e darkës, pikërisht gjatë "Orës së Tokës".
Mirë se të vini! 
Për ''Orën e Tokës 2014'', ne presim konfirmimin e pjesëmarrjes së Qytetit të Prishtinës. Jemi duke pritur konfirmimin edhe të qyteteve të tjera për të qënë edhe këtë vit në "Earth Hour City". Ajo që një qytet duhet të bëjë që të marrë këtë status të nderuar global, është të fikë për një orë dritat e një simboli të qytetit përkatës.
Ftojmë dhe mirëpresim përzemërsisht çdo përfaqësues të çdo qyteti të Kosovës, çdo përfaqësues biznesi, shkolle, universiteti, apo shoqate, që dëshiron të konfirmohet si "Earth Hour City - Qytet i Orës së Tokës" duke na shkruar thjesht një e-mail. Lista e institucioneve pjesëmarrëse do të botohet në faqen zyrtare të "Earth Hour Global". Çdo ndihmë e tillë do të ishte ndihmë për përfaqësimin më të mirë të Shqipërisë në këtë event global. Le të përpiqemi të gjithë bashkë të kemi sa më shumë qytete dhe sa më shumë qytetarë pjesëmarrës në: "Ora e Tokës 2014".

No comments:

Post a Comment