Sunday, March 24, 2013

“Ora e Tokës – Earth Hour”, për herë të katërt shënohet edhe në Kosovë





Në kontinuitet të organizimit të ditëve mjedisore më 23 Mars 2013, me rastin e shënimit të “Orës së Tokës - Earth Hour" u zhvilluan aktivitete të ndryshme me qëllim të sensibilizimit të opinionit për rëndësinë që ka kursimi i energjisë në mbrojtjen e mjedisit.
Organizimi për herë të katërt në Kosovë i këtij aktivitetit kishte për qëllim që të ftoj individët, grupet e interesit, institucionet qeveritare dhe joqeveritare, bizneset etj, që me datë 23 mars 2013 prej orës 20:30 – 21:30 (për 1 orë) të fikin dritat dhe aparaturat e tepërta elektrike, duke ia dedikuar këtë dhuratë Tokës, planetit tonë që po vuan nga ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike.
Ora e Tokës është organizim i WWF (Fondi Botëror për Natyrë), organizatës më të madhe mjedisore në botë (www.earthhour.org), e që partner mbi bazë vullnetare në implementimin e këtij aktivitetit për Kosovë ka Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA dhe Shoqatën Ekologjike “Eko Viciana” andaj ky eveniment njëkohësisht shërben edhe si një ambasador për Republikën e Kosovës ngase emitohet në shumë mediume të botës tha koordinatori i këtij aktiviteti z.Rrahman Ferizi, mësimdhënës Universitar.
Për këtë vit organizimi qendror është mbajtur në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku gjatë ditës ambientalist dhe aktivist të AKEA-së dhe “Eko Viciana” kanë vendosur stendat me qëllim që qytetarët të firmosin në eventin e thjeshtëtë, si pjesëmarrjës në Orën e Tokës në Kosovë.
Po ashtu në kuadër të kësaj fushate ndërgjegjësimi janë shpërndar fletëpalosje dhe posterë në qytet, pastaj pikërisht në h 20:30 janë fikur dritat edhe në Sheshin “ Nëna Terezë”, duke u solidarizuar me miliona njerëz dhe mijëra qytete anekënd botës.
“Kosova tashmë ka në internet ueb faqën e saj zyrtare: http://earth-hour-kosovo.blogspot.com/, në të cilën mund të regjistrohen të gjithë qytetarët e Kosovës si individ apo organizata, që së bashku të kontribuojmë në sensibilizimin e opinionit të gjerë për t’i dhënë rëndësinë e duhur promovimit të kësaj ngjarje edhe vitet tjera, ngjarje e cila konsiderohet si "aksioni më i madh dhe më masiv mjedisor që ka njohur historia ndonjëherë", deklaroi ndër të tjeraz.Ferizi.
Kontribut në këtë eveniment mejdisor ka dhënë edhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, i cili edhe sivjet ka fikur dritat në Sheshin “ Nënë Tereza”.

Wednesday, March 20, 2013

Thirrje ambientalistëve dhe shoqatave mjedisore për të marrë pjesë dhe kontribuar në aktivitetin më të madh ndërkombëtar "Ora e Tokës/ Earth Hour" 2013


Më 23 Mars, në orën 20:30 deri ne 21:30 i gjithë planeti "do të fiket" për 1 ore, duke filluar nga Australia e deri ne Kaliforni. Ky është cilësuar si "aksioni më i madh dhe më masiv mjedisor që historia ka njohur ndonjëherë". Çdo 1 ndër 3 banorë të Tokës do të fikin dritat dhe gjithë aparaturat e tepërta elektronike nëpër shtëpitë apo bizneset e tyre. Kjo është "Ora e Tokes - Earth Hour", ora të cilën ne njerëzit ia kushtojmë shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës, në një veprim sa simbolik, sensibilizues, aq edhe efikas e të fortë kundër ndryshimeve klimatike, qe po ia marrin frymën asaj. Logjika qëndron në lidhjen e drejtpërdrejtë që ekziston midis energjisë që ne përdorim dhe ndryshimeve klimatike që po ndodhin: konsumi i energjisë është përgjegjës për mbi 60 % të shkarkimeve të CO2 në atmosferë, e rrjedhimisht kursimi i energjisë është veprim, që kontribuon drejtpërdrejt në reduktimin e shkarkimeve të gazrave serrë. Secili prej nesh, si çdo qytetar i botës, ka rolin e vet aktiv në përpjekjen globale kundër ndryshimeve klimatike, edhe me veprime të thjeshta si ky i nxitur nga "Ora e Tokës".
"Ora e Tokës" ka lindur si një iniciativë e "WWF Sidney" në vitin 2007 në Sidnej dhe çdo vit e ka zgjeruar përkrahjen e saj në botë. Në "Earth Hour 2013" do të marrin pjese 7001 qytete nga e gjithë bota, në mbi 152 vende dhe me mbi 2 miliardë përkrahës apo pjesëmarrës vullnetarë. Për t'u njohur me iniciativën "Earth Hour" mund të vizitoni faqen www.earthhour.org dhe http://earth-hour-kosovo.blogspot.com/ si dhe të shikoni videon zyrtare të Earth Hour 2013 http://www.youtube.com/watch?v=2UywrjnOaUE
Edhe këtë vit "Earth Hour" është shndërruar në "Earth Hour +", pra në "Ora e Tokës dhe me shumë" duke sugjeruar që ky veprim simbolik i 23 Marsit të shndërrohet për gjithsecilin në fillimin e një veprimi kundër ndryshimeve klimatike, me veprime të vogla apo të mëdha sipas mundësive të gjithsecilit.
"Ora e Tokes 2013" është viti i katërt i pjesëmarrjes për Kosovën. Kjo iniciative në Kosovë koordinohet nga Asociacioni për Kulture, Edukim dhe Arsim - AKEA dhe Shoqata Ekologjike Eko Viciana me vullnetarët e tyre.
Edhe Ju mund të bëheni pjesë e "Ora e Tokës në Kosovë", duke siguruar qe qyteti juaj apo një biznes, të marr pjesë në këtë aktivitet masiv, duke fikur dritat e objekteve të tyre simbol gjatë Orës së Tokës dhe duke e bërë publik këtë veprim. Për t'u bere pjese e kësaj fushate lobimi, apo për të kërkuar sqarime për aktivitetin, mund të kontaktoni vullnetarët tanë ne adresat: akea_prishtina@yahoo.com dhe eko_viciana@yahoo.com.
Gjithashtu ju ftojmë që, me datën 23 Mars 2013, gjatë orëve të pasditës, të vini në numër sa më të madh, me qëllim që të firmosni në eventin e thjeshtë të firmosjes publike për pjesemarrje në Orën e Tokës në Kosovë, një ceremoni simbolike dhe e bukur, që në vitet e mëparshme ka pasur shumë sukses. Ne do të jemi në Sheshin Nëna Terezë prej orës 15:00.
Ftojmë dhe mirëpresim përzemërsisht çdo përfaqësues të çdo qyteti të Kosovës, çdo përfaqësues biznesi, shkolle, universiteti, apo shoqate, që dëshiron të konfirmohet si "Earth Hour City - Qytet i Orës së Tokës" ta bëjë këtë sa më shpejt duke na shkruar thjesht nje e-mail (akea_prishtina@yahoo.com). Lista e institucioneve pjesëmarrëse do të botohet në faqen zyrtare të "Earth Hour Global". Çdo ndihmë e tillë do të ishte ndihmë për përfaqësimin sa më të mirë të Kosovës në këtë event global. Le të përpiqemi të gjithë bashkë të kemi sa më shumë qytete dhe sa më shumë qytetarë pjesëmarrës në: "Ora e Tokës 2013".