Thursday, February 21, 2013

AKEA dhe Eko Viciana edhe ne 2013 organizojne Oren e Tokës/ Earth Hour


AKEA dhe Eko Viciana për here të katërt organizojnë Orën e Tokës në Kosovë.

Me 23 Mars nga ora 20:30 deri në 21:30 i gjithë planeti "do të fiket" për 1 orë duke filluar nga Australia e deri në Kaliforni. Ky është cilësuar si "aksioni më i madh dhe më masiv mjedisor që njeh historia": çdo 1 ndër 3 banorë të Tokës do të fikin dritat dhe gjithë aparaturat e tepërta elektronike nëpër shtëpitë apo bizneset e tyre. Kjo është "Ora e Tokës - Earth Hour", ora të cilën ne njerezit ia kushtojmë shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës, në një veprim sa simbolik, sensibilizues, aq dhe efikas e të fortë kundër ndryshimeve klimatike.
Logjika qëndron në lidhjen e drejtpërdrejtë që ekziston midis energjisë që ne përdorim dhe ndryshimeve klimatike që po ndodhin.
"Ora e Tokës" ka lindur si një iniciativë e WWF-it në vitin 2007 në Sidney të Australisë dhe çdo vit e ka zgjeruar përkrahjen e saj në botë. Në "Earth Hour 2011" morën pjesë 5.251 qytete në botë, në mbi 135 vende dhe me mbi 1.8 miliardë përkrahës apo pjesëmarrës vullnetarë. Ndërsa në "Ora e Tokës" 2012 ishin mbi 2 miliardë përkrahës.
"Ora e Tokës 2013" është viti i katërt i pjesëmarrjes për Kosovën. Kjo iniciative në Kosovë koordinohet ekskluzivisht nga Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim - AKEA dhe Shoqata Ekologjike "Eko Viciana" me vullnetarët e tyre.
Këtë vit ne jemi duke shkuar edhe më tej ... Me 23 Mars 2013 Ora e Tokës do të bashkohet me qindra miliona njerëz në mbi 7.000 qytete në 152 vende të botës.
Përveç thirrjes për individë dhe institucione që të fikin dritat për një orë, qëllimi ynë është që të angazhohen njerëzit të mendojnë dhe të veprojnë edhe pas kësaj ore.
Mbështetjen e këtij veprimi e presim jo vetëm nga Qeveria e vendit dhe qytetet anë e kënd Kosovës por edhe nga institucionet tjera si universitetet, mediat si dhe shumë organizata të tjera të shoqërisë civile, kompani dhe individë.
Një orë nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar gjërat. Çdo orë tonën duhet t`ia kushtojmë planetit tonë.
Vizitoni webfaqen tonë (www.earth-hour-kosovo.blogspot.com) dhe atë qendrore (www.earthhour.org) për të parë se si po bëhen përgatitjet në mbarë botën për ta kremtuar këtë ngjarje me karakter global.
Së shpejti do të gjeni më shumë informacione rreth veprimeve për Orën e Tokës/ Earth Hour 2013.