Saturday, February 28, 2015

Thirrje ambientalistëve dhe shoqatave mjedisore për të marrë pjesë dhe kontribuar në aktivitetin më të madh ndërkombëtar "Ora e Tokës/ Earth Hour" 2015


Më 28 Mars, në orën 20:30 deri ne 21:30 i gjithë planeti "do të fiket" për 1 ore, duke filluar nga Australia e deri ne Kaliforni. Ky është cilësuar si "aksioni më i madh dhe më masiv mjedisor që historia ka njohur ndonjëherë". Çdo 1 ndër 3 banorë të Tokës do të fikin dritat dhe gjithë aparaturat e tepërta elektronike nëpër shtëpitë apo bizneset e tyre. Kjo është "Ora e Tokes - Earth Hour", ora të cilën ne njerëzit ia kushtojmë shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës, në një veprim sa simbolik, sensibilizues, aq edhe efikas e të fortë kundër ndryshimeve klimatike, qe po ia marrin frymën asaj. Logjika qëndron në lidhjen e drejtpërdrejtë që ekziston midis energjisë që ne përdorim dhe ndryshimeve klimatike që po ndodhin: konsumi i energjisë është përgjegjës për mbi 60 % të shkarkimeve të CO2 në atmosferë, e rrjedhimisht kursimi i energjisë është veprim, që kontribuon drejtpërdrejt në reduktimin e shkarkimeve të gazrave serrë. Secili prej nesh, si çdo qytetar i botës, ka rolin e vet aktiv në përpjekjen globale kundër ndryshimeve klimatike, edhe me veprime të thjeshta si ky i nxitur nga "Ora e Tokës".
"Ora e Tokës" ka lindur si një iniciativë e "WWF Sidney" në vitin 2007 në Sidnej dhe çdo vit e ka zgjeruar përkrahjen e saj në botë. Në "Earth Hour 2013" morën pjese 7000 qytete nga e gjithë bota, në mbi 152 vende dhe me mbi 2 miliardë përkrahës apo pjesëmarrës vullnetarë.
Ndërtesat më të famshme në botë, sërish do të fikin dritat gjatë Orës së Tokës, ndërkohë që mbështetësit e Orës së Tokës do të promovojnë zgjidhjet për të ndryshuar ndryshimin e klimës. Nga nisma "Kredia e Orës së Tokës", që mbështet instalimin e paneleve për shfrytëzimin e energjisë diellore, e deri tek nisma "Pyjet e Orës së Tokës", që mbështet luftën kundër shpyllëzimit, Ora e Tokës është në qendër të përpjekjeve botërore për shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme, legjislacionin për klimë miqësore, edukimin dhe praktikat e biznesit për përgjegjësi mjedisore. Në vitin 2014, mbështetësit e Orës së Tokës, mblodhën fonde për mbjelljen e miliona pemëve, për nxitjen e përdorimit të karburantit-efikas për ngrohje në mijëra shkolla dhe reduktimin e gjurmës së karbonit.
"Ora e Tokës 2015" është viti i gjashtë i pjesëmarrjes për Kosoven. Kjo iniciative edhe kësaj radhe koordinohet nga Shoqata Ekologjike "Eko Viciana" me vullnetarët e sajë.
Eko Viciana në kuader të Ora e Tokës 2015, me 28 Mars synon të organizojë disa aktivitete në sheshin e Prishtinës dhe disa qendrave tjera anë e mbanë Kosovës, gjatë ditës dhe në orët e mbrëmjes. Synimi ynë është që vendi ynë të përfaqësohet sa më mirë në këtë event simbolik global.
Edhe Ju mund të bëheni pjesë e "Ora e Tokës në Kosovë", duke siguruar qe qyteti juaj apo një biznes, të marr pjesë në këtë aktivitet masiv, duke fikur dritat e objekteve të tyre simbol gjatë Orës së Tokës dhe duke e bërë publik këtë veprim. Për t'u bere pjese e kësaj fushate lobimi, apo për të kërkuar sqarime për aktivitetin, mund të kontaktoni vullnetarët tanë ne adresen: eko_viciana@yahoo.com.
Gjithashtu ju ftojmë që, me datën 28 Mars 2015, gjatë orëve të pasditës, të vini në numër sa më të madh, me qëllim që të firmosni në eventin e thjeshtë të firmosjes publike për pjesemarrje në Ora e Tokës në Kosovë, një ceremoni simbolike dhe e bukur, që në vitet e mëparshme ka pasur shumë sukses. Ne do të jemi në Sheshin Nëna Terezë prej orës 15:00.
Ftojmë dhe mirëpresim përzemërsisht çdo përfaqësues të çdo qyteti të Kosovës, çdo përfaqësues biznesi, shkolle, universiteti, apo shoqate, që dëshiron të konfirmohet si "Earth Hour City - Qytet i Orës së Tokës" ta bëjë këtë sa më shpejt duke na shkruar thjesht nje e-mail (eko_viciana@yahoo.com). Lista e institucioneve pjesëmarrëse do të publikohet në faqen zyrtare të "Earth Hour Global". Çdo ndihmë e tillë do të ishte ndihmë për përfaqësimin sa më të mirë të Kosovës në këtë event global. Le të përpiqemi të gjithë bashkë të kemi sa më shumë qytete dhe sa më shumë qytetarë pjesëmarrës në: "Ora e Tokës 2015.

Për t'u njohur me iniciativën "Earth Hour" mund të vizitoni faqen www.earthhour.org dhe http://earth-hour-kosovo.blogspot.com/ si dhe të shikoni videon zyrtare të Earth Hour 2015 https://www.youtube.com/watch?v=XxIMib4e8f8




No comments:

Post a Comment