Sunday, April 1, 2012

U shënua Ora e Tokës/ Earth Hour 2012 në Prishtinë


E diel 1 Prill 2012 0:29

Në kuadër të aktiviteteve të realizuara nga organizata më e madhe mjedisore në botë WWF (Fondi Ndërkombëtar për Natyrën), përkatësisht në kuadër të projektit “Earth Hour 2012” në shumë qytete të botës u fikën dritat rreth një orë për të dhënë mesazhin e shfrytëzimit sa më racional të energjisë elektrike, si masë për mbrojtjen e planetit nga ngrohja globale dhe efektet e saj.

Edhe në Kosovë, për herë të tretë u realizua shënimi i kësaj ngjarjeje, që është njëra ndër ngjarjet më të mëdha botërore për mbrojtjen e mjedisit, “Earth Hour 2012” (“Ora e Tokës 2010”) nga Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA) dhe Shoqata Ekologjike “Eko Viciana”, të cilat qenë partnerë të WWF me bazë vullnetare dhe të cilat në kuadër të këtij projekti global përfaqësuan Kosovën, nismë kjo e mbështetur edhe nga Drejtoria e Kulturës pranë Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Kështu, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në shenjë përkrahjeje dhe solidarizimi me aktivitetin në fjalë, nga ora 15:00 shumë qytetarë, kryesisht të rinj, nënshkruan në shenjë përkrahjeje dhe interesimi për këtë aktivitet që u përcoll nga disa media lokale dhe ndërkombëtare.

Në emër të Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA), Mr. Rrahman Ferizi tha se kjo ngjarje është e një rëndësie të veçantë veçmas për shtetin tonë, ngase për herë të tretë shënon pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në këtë aktivitet global. Ai poashtu dhe tha se ky projekt, ndonëse i realizuar nga AKEA dhe “Eko Viciana” ka hasur në përkrahje morale nga disa institucione tjera në vend.

Gjatë kohës së fikjes së dritave, nga ora 20:30 po në atë vend u ndezën qirinj në formë të numrit gjashtëdhjetë, simbolika e 60 minutave të “Orës”.

Sipas zyrtarëve të organizatave në fjalë, ky aktivitet mëton të jap mesazh për shfrytëzim racional të energjisë elektrike dhe sensibilizimin për efektet e saj në ngrohjen globale. Sipas tyre, rëndësia e këtij evenimenti është në simbolikën që shpreh ai për kursim dhe mbrojtje, si në planin mjedisor ashtu edhe në atë ekonomik dhe social, që janë baza të një zhvillimi të qëndrueshëm.